Historiani shkodran në faqen e parë të Parlamentit të Spanjës

Ndërkohë që në qytetin e Lezhës përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, kosovar, e maqedonas, zhvillonin ceremonialin me rastin 2 Marsit, në po të njëjtën kohë, në Shkodër, në disa dhoma me një hapësirë modeste zhvillohej një ekspozitë modeste me një numër modest vizitorësh mbi një personazh aspak modest.

Ky personazh aspak modest, i cili ka bërë çnuk e çmos, fshehtas dhe haptas, që Shqipëria të shpallej e pavarur prej sunduesit osman, ky zotëria pra, ishte një aristokrat dhe biznesmen spanjoll, i biri i një industrialisti verërash nga Kadizi, familje e pasur gaditane.

Lexuesi i vëmendshëm, në këtë pikë, me të drejtë ngre pyetjen:

…punë tjetër nuk kishte për të bërë ky aristokrati nga Spanja, përveçse të fuste hundët në punët e Shqipërisë?

…dhe tani vjen përgjigjja:

Familja e tij dhe e babait të tij çmoheshin dhe respektoheshin shumë anembanë Spanjës dhe qytetit, njerëzit atje, gjyshen e tij nuk e thërrisnin në emër, por i drejtoheshin me titullin e saktë dhe me shumë respekt, Princesha Kastrioti.

Ky zotëri kishte arsye dhe ndjesi të forta përse e shkriu pjesën më të madhe të pasurisë së tij për të financuar çdo lëvizje për pavarësi. Ai dha ndihmë financiare Faik Konicës për vazhdimin e botimit të revistës Albania dhe i garantoi atij çdolloj suporti tjetër diplomatik.

U njoh dhe bashkëpunoi ngushtësisht me Jeronin De Radën dhe Ismail Bej Qemalin. Ai ndihmoi Dom Ndoc Nikën, të njëjtën gjë bëri me shqiptarët e Rumanisë, të njëjtë gjë me arbëreshët që botonin revista patriotike, ai ndihmoi Luigj Gurakuqin, Nikolla Lakon, vazhdimi i listës do ta mërziste lexuesin me gjatësinë e saj.

Ky zotëri, të cilin Faik Konica e quante Gjin, ishte nipi i Princeshës Kastrioti nga Kadizi, e cila në vijën e qumështit ishte pasardhëse e drejtëpërdrejtë e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti. (Kujtojmë lexuesin se Donika Kastrioti prehet në Valencia).

Emri i tij i plotë është Juan Pedro de Aladro Kastriota, dhe njohuritë tona mbi këtë figurë historike ishin po aq të mëdha sa pika në fund të kësaj fjalie.

Ndjesia e turpit na shkon deri në rrënjë të flokut, por na duhet ta pranojmë, u desh ekspozita e një historiani nga Shkodra, që të mësonim atë që lënda e historisë nuk e bëri kurrë përgjatë viteve të shkollës.

Xherardo Nikjari, historiani të cilit, parlamenti spanjoll në faqen e tij, i drejtohet me titullin e nderit Don, në shenjë respekti për punën kërkimore, kurimin, dhe ekspozimin për publikun e gjërë e për gjithë studiuesit e historiografinë shqiptare, të veprimtarisë së Don Juan Pedro de

Aladro Kastriotit, është personi dhe studiuesi të cilit i detyrohemi mirënjohje dhe respekt jo vetëm sepse nxorri në dritë punën e një patrioti të madh e të heshtur, por edhe sepse arsyet për lidhjen dhe miqësinë e shqiptarëve me spanjollët bëhen akoma më të forta.

E për t’i dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit, nuk ka sesi të kalojë pa u thënë se pa vëmendjen, suportin e përkrahjen e Bashkisë Shkodër dhe stafit të Muzeut Historik, kjo punë e madhe kërkimore do kish mbetur kushedi edhe përsa kohë nën kapakët e dosjeve të rënduara prej pluhurit të harresës.

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial