Historia e posterit-flamur që ruhet në Boston

Historia e një posteri të vitit 1920, që ruhet në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston vjen përmes një interviste me At Artur Liolin, Kancelari i Kryedioqezës Shqiptare në Boston

Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston ruhet i ekspozuar në një nga mjediset e saj kryesore një poster i botuar në vitit 1920, piktura origjinale e të cilit mendohet të jetë kryer në vitin 1911. Në poster gjendet i shkruar emri i autorit D.T. Shkembi.

At Artur Liolin, Kancelari i Kryedioqezës Shqiptare në Boston, i cili ruan lidhje me posterin, nëpërmjet një interviste, informon me shumë interes dijenitë e tij.

Pasi u njoha me figurën e posterit i‘u drejtova z. Liolini me një letër të thjeshtë ku i lutesha t‘i përgjigjej disa pyetje. Jam munduar të ruaj dialektin korçar të përgjigjeve të tij, pasi tingëllojnë bukur, por në disa raste kam ndërhyrë në gramatikë, për të arritur që publiku të mos ketë vështirësi.

Ndër të tjera në letër i shkruajta se nëpërmjet z. Qerim Vrioni kam mësuar se në katedralen tuaj ndodhet një poster shumë i veçantë, me vlera historike të mirëfillta, me subjekt patriotik dhe me objekt qendror shqiponjën e zezë dykrenore. Të lutem At, a do të ishte e mundur të kisha një foto dhe më shumë të dhëna rreth këtij posteri?

Përgjigjia e tij ishte mjaft e ngrohtë, e shpejtë dhe e afërt.

E nderuar Zj Kuka,

Gëzohem që ju jini e interesuar për pankartën (ose posterin) për të cilën kërkoni informata. Për ato të dhëna që kemi i kam shënuar pas pyetjeve tuaja. Mund të përpiqemi të gjejmë diçka tjetër në arkivin tonë të Bibliotekës Noliane, por kërkon pak kohë.

Jam kurioz: A mund të ketë një poster të këtillë në Muzeun Historik Kombëtar, në ato kate ku kanë vendosur objekte të Rilindjes?

Bashkëngjitur do shohni një foto të flamurit tonë që kemi ekspozitur në Katedrale. Por kjo na duket e periudhës me të vonë, të 1920ve. Do vini re se shqiponjat të asaj kohe ishin me agresive se sa më vonë, dhe pas formimit të shtetit shqiptar dhe standartizimit të flamurit kombëtar. Më poshtë po ju përgjigjem pyetjeve.

Në çfarë materiali është botuar posteri?

Objekti është botuar në letër të rëndë, tipik për pankarte.

Si është ruajtur vlera e ngjyrave dhe cilat dominojnë?

Kuq i shndërdritshëm, pak afrohet si portokalli nga vjetërsia. Zi. E verdhë të duket si floriri. Blu është sfondi. Portokalli janë fjongot, ku janë shënuar dhe fjalët me të zezë. I kuq gjaku si qershi ose verë; pak në ojesen poshtë pankartit. E bardhë janë brisket e shtijëzave dhe të shpatave me ca gri që duken si metal.

Sa është madhësia, përmasat e tij?

Horizontal: 69.9 centimetër dhe vertikal: 49.5.

Perse autori e ka krijuar, për cfarë rasti?

Unë menjtoj për të frymëzuar në përgjithësi patriotizmën midis emigrantëve të parë shqiptarë me banim në ShBA; për të luftuar për shpalljen e pavarësisë të kombit shqiptar; si dhe për të ndihmuar formimin e çetave; për të çliruar vendin prej perandorisë otomane; për të mbledhur të holla; për të ndihmuar luftën për liri në atdhe.

Ju lutem emrin e plotë të autorit?

Praktikisht ajo çka shihet shkruar në pankartë është: “Punuar prej D.T. Shkembi.” Informatë më shumë nuk kemi. Spekulloj se emri i tij i parë mund të jetë “Dhimitër ose Dhosi”.

Autori i posterit ishte artist?

Nuk kemi të dhëna. Rrallë ose mund të themi e pamundur do ishte për një emigrant në atë kohë që të plotesonte jetën si artist ose piktor, ose në çdo fushën akademike. Mendonj se ai duhet të kishte punuar në një punë të thjeshtë si në fabrikë këpucësh, lëkurësh ose gjelltore për të fituar bukën e tavolinës. Shumica e emigrantëve të asaj kohe banonin së bashku me 5 deri 8 veta në një apartament të thjeshtë që queshe konak. Në kohën e lirë ata punuan për çështjen e Shqipërisë.

A keni të dhëna rreth jetës së autorit?

Nuk kemi të dhëna. Pra, duke spekulluar përsëri mund të them se shumica e emigrantëve të parë në Boston dhe rreth e rreth tij erdhën nga fshati Katundi, një nga të ashtuquajturit e vakëfeve të Korçës. Të tjerët në atë kohë erdhën pak a shumë nga Panariti, Stratoberdha, prapë nga ato vakëfe, si dhe nga brenda Korçës ose nga Dardha, një fshat jashtë Korçës.

Kur është ekspozuar për herë të parë ky poster?

Nuk ka të dhëna. Në vitin 1909, gazeta Dielli ishte botuar regullisht në Boston. Besoj se pankarti mund të ishte botuar në shtypin e Diellit. Për ta ekspozuar, mund të ketë qenë shpërndarë nëpër konaket ose në “Kafe Skenderbeu” në Boston. Duhet kuptuar se emigrantët e asaj kohe, në përgjithësi, nuk ishin në gjendje të kishin shtëpira me vete.

Është shumë interesant se në poster ka tri shqiponja të tipologjisë dykrenore, apo të tipologjisë së shqiponjës bizantine, por në qendër e në krye gjendet shqiponja me një kokë e krahët lart e një tipologjie të afërt me realen dhe e përdorur si symbol i forcës dhe lirisë nga amerikanët. Përse ka ndodhur? A keni ndonjë të dhënë?

Më vjen mirë që e keni vënë re këtë figurë që është pikturuar në pankartë. Ajo është shkaba e Amerikës. Forma e temës së shqiponjës së Shqipërisë ka një trajtë fantazie. Pra ajo është pikturuar me kurorë sipër dhe yll. Madje dhe një shqiponjë tjetër është në bishtin e vet shqiponjës. Si dhe në mes të pankartës përsëri është shqiponja me krahë të mbledhur, dhe rrethuar me dy shqiponja me krahë të shtrirë. Patjetër kjo ishte një vit përpara formimit të flamurit standart të shetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë në 1912. Megjithatë mendoj se emigrantët kishin shumë njohuri rreth flamurit të tyre dhe dëshira për pavarësi të atdheut ka bërë që piktori ta pikturojë në këtë mënyrë e sidomos ta pikturojë shqiponjën disa herë. Por ajo që është më e rëndësishmja është se piktori ka pikturuar dhe shkabën e Amerikës dhe kjo në arsye të respektit për vendin e madh dhe për vendin ku ata punonin. Shqiponja në pjesën e sipërme duket “natyrale,” dhe jo si simbol për flamur. Ajo është vendosur lart në qiellin blu ku fluturon dhe me sqep të hapur. Duket që shkaba therret këto fjalë që janë shkruar: “Permi Armikne.Vdisni per mua” dhe anen tjeter: “Rrofte Shqypnia. Arma Per Armikne.” (Këto janë thirrma të shkruara në fjongot portokalli. au). Kthetrat e shqiponjave mbajnë shigjeta. Ka një konstellacion shtijëzash. Ky është një simbol ushtarak i pikturuar edhe sipër. Është shumë i dukshëm një rreth në mes e poshtë i rrethuar dhe dizinjuar me shpata. Në pjesën e poshtme gjejmë një përmbledhje përkranaresh, ku në mes tyre është dhe ajo e Skendërbeut. Pra e gjithë ideja është të leftojmë për pavarësinë e kombit shqiptar.

Kush ka qenë porositësi apo autori e ka krijuar i frymëzuar prej patriotizmit të tij?

Nuk ka të dhena. Kjo pankartë ishte punë e vitit 1911, domethënë një vit përpara formimit të organizatës më aktive dhe e mirënjohur që ishte një federate pan-shqiptare e Amerikës e titulluar “VATRA”. Në atë vit Bostoni kishte një organizatë patriotike që quheshe “Besa Besën” që ishte formuar më parë në vitin 1909 dhe në vitin 1912 ajo organizatë fillestare u bë dega kryesore e Bostonit per Federatën “VATRA”, e cila kishte më shumë se 40 degë në Amerikë.

Nga fjalët e shënuara në pjesën e sipërme të pankartës kuptohet se qëllimi ishte për të inspiruar djemtë emigrant shqiptarë në ShBA që të organizoheshin dhe të luftonin për çlirimin e vendit të origjinës së tyre. Më lëjo të të them një legjendë se ne Boston si emigrantë nga vendet e tjera ishin dhe Irlandezët. Thonë se përpjekjet e fuqishme të irlandezëve rreth rajonit të Bostonit për pavarësinë e Irlandës nga Anglia ishte një shembull që frymëzoi emigrantët shqiptarë për tu interesuar edhe më shumë rreth pavaresisë së vendit të tyre. Patjetër luajtën një rol të madh ligjëratat dhe shkrimet publicistike të Rilindësave më të arsimuar dhe të zgjuar në ShBA si: Faik Konica, Fan Noli, Sotir Peçi, Kosta Çekrezi, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, etj.

I nderuari dhe i dituri At Artur Liolin e mbyll letrën e tij me fjalët:

Ju uroj gjithë të mirat në profesionin tuaj.

Mbetem i juaji,

At Artur Liolin

V.O. Të më falni për gramatikën e shqipes sime.

*Skulptore, studiuese – Toronto

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial