Shkodra hap dyert në mbështetje të studimeve për arbëreshët

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe Bashkia Shkodrës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, e cila është e para e këtij lloji midis dy institucioneve.

Zëvendëskryetari i bashkisë, Rudin Beka dhe Diana Kastrati, drejtuese e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe, kanë vënë firmat e tyre gjatë ceremonisë së mbajtur në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ku ka marrë pjesë edhe grupi artistik arbëreshësh që udhëtoi enkas drejt Shkodrës, si dhe studiues e personalitete kulturore të qytetit. Vizita është organizuar në kuadër të Ditës së Diasporës, për të cilën arbëreshët e nisur nga disa komuna të Kalabrisë mbërritën në Shkodër.

Kastrati në emër të Qendrës ka shprehur mirënjohjen për administratën dhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili e ka ndërmarrë këtë nismë teksa ka shpalosur edhe një përmbledhje të punës kërkimore dhe aktiviteteve të QSPA-së.

“QSPA ka nënshkruar rreth 23 marrëveshje me institucione të ndryshme, kryesisht me institucione kërkimore dhe ky nënshkrim me Bashkinë e Shkodrës është e një rëndësie të veçantë, pasi hap serinë e bashkëpunimeve me bashkitë në rang vendi”, citohet të ketë thënë ajo.

Ka theksuar se kjo marrëveshje merr një vlerë të veçantë në qytetin e Shkodrës, pasi arbëreshët kanë qenë në fokus të një plejade të tërë studiuesish të shquar me prejardhje nga ky qytet. Njëri prej tyre ka qenë edhe albanologu i ndjerë, Jup Kastrati, një figurë e shquar që dha shumë për albanologjinë dhe arbëreshët në veçanti.

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial