Sa ishte në të vërtetë ari që vodhi mbreti Zog kur u arratis nga Shqipëria?

Arkivi publikon për herë të parë dokumentin: Sa ishte në të vërtetë ari që vodhi mbreti Zog kur u arratis nga Shqipëria?

Arkivi i Shtetit ka publikuar për herë të parë një dëshmi të re rreth sasisë së arit të marrë me vete nga Mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria.

Sipas dokumentit që është shkruar dhe firmosur nga Gjon Lusha, pretendohet se sasia e arit që Mbreti Zog dhe shoqëruesit e tij kanë marrë me vete kur u larguan nga Shqipëria drejt Greqisë në prill të vitit 1939, është shumë herë më e lartë se ajo që dihej deri më sot.

Dokumenti është nxjerrë nga fondi i Milicisë Fashiste, ku shkruhet se mbreti Zog ka marrë rreth 250.000 napolona ar.

Në dokument është shkruar ndër të tjera se “mbretit Zog, kontrolluar nga autoritetet greke, i janë gjetur 250.000 napolona ari”

Në kohë të ndryshme janë dhënë shifra të ndryshme mbi sasinë e arit që Zogu grabiti në arratinë e tij nga Thesari i Shtetit.

Por shifra që del tani është shumë më e lartë se ajo që kanë dhënë historianët.

Psh, sipas historianit A.Lame, në autokolonën e mbretit udhëtonin 11 valixhe me afro 178 kg flori që ai kishte marrë “me vendim të Këshillit të Ministrave” mbrëmjen e datës 6 prill të 1939-ës.

Lame thotë se këto përbënin rreth 28.000 napolona ar.

“Më 6 prill të 1939-ës rreth orës 21.00 Mbreti urdhëroi ministrin e Financave, Kol Thaçi, që e gjithë gjendja e Thesarit të Shtetit t’i bëhej atij prezent. Në fakt, ari i Shqipërisë ruhej kryesisht në Banka di Napoli (2.454 kg ar) dhe vetëm një pjesë e vogël floriri (afro 178 kg) gjendej në kasafortën e Bankës së Shqipërisë.

Arkëtari i Përgjithshëm, Ramadan Berberolli, sipas urdhrave të qeverisë, i dorëzoi Mbretit shumën prej 448.535 monedhave ar në shtëpinë e Koço Kotës dhe afro 118.195 monedha, vonë në mesnatë në shtëpinë e vëllait të Mbretit në afërsi të Stadiumit të sotëm “Qemal Stafa”. Zogu i zhvillonte mbledhjet e qeverisë aty.

Sipas dokumenteve Mbreti Zog tërhoqi në total afërsisht 567 mijë franga ari. Thuajse gjithë atë që kishte në dispozicion Thesari Shqiptar. Nisur nga llogaria që një Napolon Flori përbëhej nga 20 Franga ar, Mbreti kish marrë me vete një shumë prej 27.848 Napolonash ar. E kalkuluar me kursin e floririt të sotëm (Kursi i datës 10 Shtator 2014), rezulton se Mbreti Zog kish marë me vete, një shumë të barabartë sot me 6 milion euro.

Në kujtimet e tij Mbreti sqaron se pjesa kryesore u shpërnda nën kujdesin e një komisioni prej 7 vetash për zyrtarët e dalë në Larisa, Follorinë dhe Beograd. Por askush nuk di të thotë sot sesa mund të ketë qenë sasia e arit që Mbreti posedonte personalisht dhe që e ruante në kasafortën e tij në Pallat, por ashtu si edhe bizhuteritë dhe gjërat e tjera me vlerë”, tha ai.

Ndërkohë një dokument i CIA i datës 19 shtator 1949 botuar nga DITA vite më parë, thotë:

“Sipas kërkesës për informacion mbi ish-mbretin e Shqipërisë Zog, Zoti Church deklaroi informacionet e mëposhtme për të:

Ai ka 108 000 dollarë në bankën National City Bank, rreth 5.000 dollarë në fondin Guaranty Trust, toka dhe një ndërtesë në Aleksandri me vlerë rreth 40 000 lira egjiptiane, xhevahiret e kurorës së Shqipërisë me vlerë rreth 200 mijë dollarë, dhe rreth 750. 000 dollarë në flori nga rreth 3.000. 000 që mori me vete nga Shqipëria…”

m.b./dita

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial