Lojërat e Fuqive të Mëdha dhe dokumentet që konfirmojnë përkatësinë shqiptare të Shën Naumit

Projektet ekspansioniste të fqinjëve tkurrën Shqipërinë në vetëm një të katërtat e territorit natyral ku shqiptarët janë identifikuar ndër shekuj.

Ai territor i takonte Shqipërisë, por po mbahej padrejtësisht i pushtuar. Ndërsa shqiptarët kërkonin lirinë, në arenë po luheshin interesa të ndryshme dhe Shqipëria kishte pak aletë për ta mbështetur.

“Duke filluar nga 20-26 do të vësh re se Fuqitë e Mëdha, aleatë që ishin pjesë e konferencës së ambasadorëve, në momente të caktuara ranë dakord me vijën kufitare, në momente të tjera ku mplekseshin interesa të tyre dhe politike dhe ekonomike do të ishin kundër”, u shpreh Prof. dr. Kaliopi Naska, historiane për “Inside Story”.

Ky dokument tregon se zvarritja e kufijve shqiptarë acaroi edhe fuqitë e mëdha. Nëpërmjet një note, në tetor 1922, katër fuqitë e mëdha, Anglia, Franca, Italia dhe Japonia, kërkojnë shqyrtimin e çështjes së Shën Naumit në komisionin e kufijve.

Në vitin 1922 komisioni i kryesuar nga Enrico Telini shkoi në Strugë dhe në Shën Naum për ndarjen në terren. Në dhjetor të atij viti, Konferenca e Ambasadorëve shprehet zyrtarisht për Shën Naumin si territor brenda kufijve të Shqipërisë.

“Vetë konferenca e ambasadorëve, pasi e mori në shqyrtim në vitin 1922 deklaroi se shprehja “deri në manastirin e Shën Naumit” nënkupton që ky Manastir i takon Shqipërisë. Dhe u mendua që u mbyll, por serbët e kundërshtuan dhe interesat e Francës që në atë kohë donte ta bënte aleat bëri që të ndryshonte qëndrim. Franca bëri çmos, lëvizi të gjitha letrat, bindi edhe Britaninë e Madhe për ta parë edhe njëherë çështjen e Shën Naumit’”, u shpreh për “Inside Story”, Prof. Dr. Paskal Milo, historian.

Për serbët kjo ishte e papranueshme. Ata e kundërshtuan vendimin dhe u shprehën se nuk do ta njihnin asnjëherë si territor shqiptar. Madje, serbët dërguan përforcime në zonën përreth dhe përzunë me forcë priftërinjtë shqiptarë. Këtu fillon një piruetë e Fuqive të Mëdha.

“Përfaqësuesit e qeverisë franceze filluan ta kundërshtojnë, të mos bien dakord megjithëse në vendimmarrje ishte dakord. Madje më 1923-shin qeveria serbo-kroate-sllovene hoqën priftërinjtë shqiptarë dhe filluan të vinin forca të armatosura për të qenë në gatishmëri madje filluan ta zbehin këtë vendim duke futur edhe fuqitë aleate. Me ndërhyrjen edhe të Anglisë iu drejtua përsëri Lidhjes së Kombeve”, u shpreh Prof. Dr Kaliopi Naska, historiane. /TCH/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial