”Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë,..”

Shkëputje nga fjalimi i fuqishëm i Gjergj Fishtës, në Konferencën e Paqës në Paris, 1919!

…Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën, në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij.

E tash dëgjoni si u soll kristiani me Shqipni e me shqiptarë.

Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme! /Trungu & InforCulture

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial